Ministrja e Drejtësisë e Sllovenisë, Dominika Shvarc Pipan, pritet t'i paraqesë sot kryeministrit slloven, Robert Golob, konkluzionet përfundimtare në lidhje me blerjen e diskutueshme të një objekti për nevojat e gjykatës në Lubjanë.
Kjo ka ardhur pasi ministrja e Drejtësisë dha dorëheqjen dje nga partia e saj Social Demokrate (SD), e cila është tronditur nga afera për blerjen e një godine për nevojat e gjykatave.
"Faleminderit për lulet dhe fat të mirë SD", shkroi të hënën ministrja e Drejtësisë, Dominika Shvarc Pipan.
Siç konfirmoi, ajo partisë së saj i ka dërguar një letër për largimin nga partia. Siç ka shkruar edhe ajo, kryesia e partisë nuk ka komunikuar me të prej dy javësh dhe se ajo nuk ka marrë ftesë për seancën e konferencës dhe seancën e Kryesisë, ku SD-ja kërkoi të hënën daljen nga kriza më e madhe në historinë e partisë.
Ministrja e Drejtësisë dhe partia e saj SD u gjendën në qendër të një skandali pasi ministria pagoi 7,7 milionë euro për një hapësirë në Lubjanë, ndërsa nuk urdhëroi verifikimin e çmimit të ndërtesës, por pranoi një vlerësim të porositur nga shitësi, sipërmarrësi Sebastjan Vezhnaver, për të cilën pagoi 1,7 milion euro në vitin 2019.
Në javët e kaluara, vetë Shvarc Pipan, me mbështetjen e kryeministrit Robert Golob, filloi të hedhë dritë mbi rrethanat e blerjes së lartpërmendur. Shvarc Pipan duhet t'i raportojë sot kryeministrit Golob gjetjet e saj përfundimtare.
Sipas Shvarc Pipan javët e fundit, ajo u mashtrua gjatë blerjes, ndërsa gishtin e drejtoi te disa zyrtarë të ministrisë dhe anëtarët e partisë, ndër të cilët është sekretari i Përgjithshëm i SD-së Klemno Zhibert, i cili gjithashtu dha dorëheqjen nga posti.
Nga ana tjetër, ditët e fundit brenda SD-së janë diskutuar disa skenarë të mundshëm për daljen nga kriza politike. Pas mbledhjeve të disa organeve partiake të mbajtura të hënën, ata vendosën të shkojnë në asamblenë zgjedhore në muajin prill.
Të paktën deri atëherë, në krye të SD-së do të qëndrojë ish-kryetarja e partisë, Tanja Fajon, ndërsa pas dorëheqjes së Zhibertit, postin e përkohshëm do ta mbajë anëtari i shquar dhe kryetar i konferencës së SD-së, si dhe sekretari i shtetit Matevzh Frangezh./aa