Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ndryshimet në Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KMP) duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e medieve.
Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Ioanna Lachana, tha se blloku evropian ka avokuar vazhdimisht që Kosova të rishikojë ligjin për KPM-në, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Direktivën e BE-së për mediet audo-vizuale.
“Është thelbësore që Kosova të miratojë ligjin me shpejtësi, përmes një procesi të hapur dhe transparent, me konsultimet e duhura, ku do të përfshihej shoqëria civile dhe organizatat mediale”, tha zëdhënësja e Zyrës së BE-së.
Lachana tha se BE-ja aktualisht është duke analizuar ndryshimet në Projektligjin për KPM-në dhe më pas do të japë komente për të “tek autoritetet kompetente”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në projektligjin, i cili synon rregullimin e medieve online. Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj medieve, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediet.
Legjislacioni parasheh që mediet online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e medieve online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.
Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediet që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.
Aktualisht, tekstet e publikuara në mediet online monitorohen nga Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediet për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj medieve dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj medieve nëpër gjykatat e Kosovës.
Në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian është thënë se “amendamenti, që është aktualisht në proces, do të duhej ta harmonizonte më tej Ligjin me Direktivën e Shërbimeve të Medieve Audio-Vizuale për t’i shtrirë kompetencat e tij edhe në mediet audio-vizuale online”./ata