Kompania “Natural Herbal” do të jetë pjesë e stendës shqiptare në panairin “BIOFACH2024” në Gjermani, me synimin për t’u zgjeruar në tregje të reja të eksportit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se “Natural Herbal”, në Maliq, Korçë, është e specializuar në mbledhjen, përpunimin dhe shitjen e bimëve aromatike dhe mjekësore.

Sipas saj, kompania grumbullon bimët nga fermerët e zonës dhe pasi i mbledh, i than e përpunon në fabrikë me procese tërësisht të modernizuara, duke i monitoruar nga specialistët, për të siguruar cilësi të lartë.

“Kanë rreth 3000 metra katrorë hapësirë magazinimi, një avantazh i kompanisë për të plotësuar kërkesat e eksportit në shtetet ku çojnë produktin, si Gjermania dhe vende të rajonit”, shtoi ministrja Denaj.

Janë gjithsej 6 kompani shqiptare të certifikuara sipas Standardit Europian Organik që do të jenë pjesë e stendës shqiptare në panairin BIOFACH 2024, në Gjermani.

Në stendën “Enjoy Bio Albania” ekspozohen ekselencat e produkteve shqiptare për vizitorët dhe partnerët potencialë të eksportit nga e gjithë bota./ata