Si çdo fushë e turizmit në Shqipëri edhe agroturizmi ka fituar një rritje të ndjeshme të turistëve vendas dhe të huaj gjatë 5 viteve të fundit, ku vetëm gjatë vitit 2023, ky sektor pati një rritje të ardhurash me 30%.

Për të sqaruar më shumë rolin e shtetit në këtë sektor dhe kontributin e këtij të fundit, i ftuar në “Studio Live” me Arbër Hitajn në Report Tv, ishte zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici.

Civici sqaroi se ky sektor është zhvilluar si pasojë e serumeve të shpeshta financiare nga vetë buxheti i shtetit, si dhe fondet europiane.

“Jemi pas 5 vitesh që kemi dhënë  lehtësi fiskale për këtë sektor, kemi dhënë investime qoftë ato nga buxheti i shtetit, qoftë ato nga fondet europiane për agroturizmin përfshirë këtu edhe kapitalin edhe të vetë njerëzve të cilët i ndërtuan ato. Kemi regjistruar dhe çertifikuar mbi 35 agroturizma aktualisht me çertifikatë përfundimtare, ndërkohë janë edhe 30 të tjera që janë në procesin e verifikimit dhe plotësimit të të gjitha kushteve. Tashmë kishte ardhur momenti që duhet të fillojmë të mendojmë për konsolidim të këtyre subjekteve dhe këtyre strukturave sepse është shumë e rëndësishme që kjo njësi ekonomike mos të jetë vetëm në një vend të cilin ne shpenzojmë pak kohë gjatë fundjavës apo shkojmë për të kaluar një drekë. Duhet të jetë një njësi ekonomike serioze dhe jetike për zonën rurale në të cilën operon”,- tha Civici.

Duke parë interesin e madh dhe suksesin e vazhdueshëm që po reflekton ky sektor. shteti shqiptar ka kërkuar asistencën edhe të partnerëve të huaj për të ndërtuar në strategji të mirëfiltë në të cilin shpalosen praktikat më të mira europiane të implementuara në agroturizëm.

“I kërkuam një nga partnerëve tonë më seriozë dhe më të rëndësishëm siç është bashkëpunimi gjerman Giz që të kontaktonte disa ekspertë të huaj për të parë edhe eksperiencën botërore të këtij sektori duke qenë se ne jemi relativisht të ri, nën 5 vjet dhe ata ndërtuan një dokument strategji sipas të cilës nga viti 2024 deri në vitin 2027 ne duhet të veprojmë, pra mënyrë se si një agroturizëm duhet të zhvillohet”,- tha zëvendësministri i Bujqësisë.

Civici bëri thirrje ndaj grupeve të interesit dhe jo vetëm, që të tregojnë mendimet dhe vizionet e tyre në planifikim e një strategjia për agroturizmin.

“Muaji maj është muaji i konsultimit publik ku në faqen e ministrisë mund të gjeni linkun e konsultimit publik për agroturizmin, ku krahas dokumentit më pak se 60 faqesh është edhe vendi për të lëshuar komentet”,- tha ai.

“Strategjia bazohet në dy drejtime kryesore: gjithë përfshirje dhe diversifikim. Gjithë përfshirje në kontekstin e njerëzve të cilët do të vetëpunësohen dhe dersifikim pra gratë dhe të rinjtë të cilët janë kryesisht ata që vuajnë më shumë punësimin ë zonat rurale dhe dersifikim në kontekstin e shërbimeve që do të afrohen”,- shtoi Civici.

Ndër të tjera, ai tha se mbështetja e buxhetit të shtetit ndaj bujqësisë është rritur çdo vit më shumë.

“Në vitin 2021 ka qenë 3.1 miliardë lekë, në vitin 2022 ka qenë 5.1 miliardë lekë, në vitin 2023 ishte 5.2 miliardë lekë dhe në vitin 2024 do të ketë shumë më e lartë”,-tha ai.