Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u zotua se do të sjellë në shtëpi të gjithë amerikanët e arrestuar në mënyrë arbitrare.

"Unë mbaj me vete dhe kam në zyrën time një kartë ku kam emrat e çdo amerikani të arrestuar në mënyrë arbitrare në mbarë botën", tha Blinken në një ngjarje në Washington, të titulluar "Diplomacia e pengjeve si një kërcënim për sigurinë ndërkombëtare: Forcimi i veprimit tonë kolektiv, parandalimi dhe reagimi”.

“Dhe nga të gjitha gjërat që më japin kënaqësi kur bëjë këtë punë, asnjëra nuk më jep kënaqësi më të madhe sesa të fshijë një emër nga ajo listë”, shtoi ai.

SHBA-ja ka arritur të fshijë 45 emra që nga viti 2021, duke përfshirë dhjetorin, kur solli në shtëpi gjashtë qytetarë, amerikanët e fundit që po mbaheshin gabimisht në Venezuelë, tha Blinken.

"Por ka ende shumë njerëz në atë listë. Dhe unë e di se kthimet në shtëpi janë gjëra të hidhura, madje edhe të dhimbshme, për familjet, të dashurit e të cilëve mbahen mbyllur", tha ai.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet për të penguar ndalimet e ardhshme, tha Blinken, duke shtuar: "Qytetarët tanë nuk janë mjetet për pazare njerëzore. Ata nuk janë pengje politike. Nëse ndonjë vend mban padrejtësisht ndonjë nga njerëzit tanë, ne do t'i mbajmë ata përgjegjës"./aa