Pasi u arrestua disa ditë më parë në Janinë, Laert Haxhiu, një nga të shumëkërkuarit e drejtësisë shqiptare, do të dalë sot para gjykatës në Greqi për t’u njohur me masën e sigurisë.

 

Policia shqiptare njoftoi se drejtësia e vendit tonë kërkon për Laert Haxhiun ekstradimi në vendin tonë dhe pala shqiptare ka dërguar në shtetin fqinj të gjithë dokumentacionin për ekstradimin e 31-vjeçarit të dënuar në mungesë për “masakrën e Lushnjes”.

 

Dokumentacioni i autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Laert Haxhiut do të shqyrtohet sot nga gjykata greke.

 

Laert Haxhiu së bashku me dy shqiptarë të tjerë u arrestuan mbrëmjen e së hënës, 22 Maj 2023, në Janinë teksa policia greke iu bëri shenjë për të ndaluar por ata jo vetëm që nuk ndaluan por tentuan t’i largoheshin policisë greke gjatë një ndjekje me makina.

 

31-vjeçari nga Lushnja është i dënuar me 18 vite burg në mungesë nga gjykata shqiptare.