Sipërmarrja e përbashkët e gjigantit të energjisë gjermane, RWE dhe kompanisë greke të burimeve të rinovueshme PPC, Meton Energy, ka rënë dakord të investojë në një fermë diellore në Greqi me një kapacitet maksimal prej 450 megavat (MW).
RWE-ja njoftoi se ferma e re diellore, Orycheio Dei Amynteo (Amynteo Cluster III), që do të ndërtohet në Greqinë veriore, është projekti i fundit në portofolin e 940 megavat (MWp) dhe konsiderohet projekti më i madh diellor i RWE-së në ndërtim deri më sot.
Ndërtimi pritet të nisë në muajt në vijim, ndërsa në funksion do të vihet deri në fund të vitit 2025.
Krahas këtij projekti të ri, RWE dhe PPC po ndërtojnë tashmë tetë projekte diellore në shkallë të gjerë në rajon, me një kapacitet total 490 MWp, të cilat pritet të kyçen këtë vit.
Meton Energy siguroi një marrëveshje 10-vjeçare me PPC dhe RWE për të shitur energjinë elektrike të prodhuar nga ferma e re diellore.
Sipas njoftimit, gjysma e 255.4 milionë eurove të investuara në fermën diellore vjen nga fondet e BE-së NextGenerationEU. Financimi për shumën e mbetur përfshin 76.6 milionë euro borxh komercial nga një konsorcium bankash greke, përkatësisht Alpha Bank, Eurobank dhe Banka Kombëtare e Greqisë, dhe 51.1 milionë euro nga kapitali i aksionerëve.
Katja Wunschel, drejtore Ekzekutive e RWE Renewables Europe&Australia, tha se, “Në partneritet me PPC Renewables, ne po përshpejtojmë tranzicionin e energjisë në Greqi”.
"Punimet e ndërtimit në tetë fermat tona të para diellore është duke u zhvilluar mirë", shtoi Wunschel.
Konstantinos Mavros, drejtor Ekzekutiv i PPC Renewables, tha se, "Kemi kënaqësinë të njoftojmë vendimin përfundimtar të investimit për një tjetër projekt të rëndësishëm diellor në Greqi, duke shënuar një hap vendimtar përpara në angazhimin tonë për energjinë e pastër të qëndrueshme"./aa