Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një telegram urimi për 16-vjetorin e pavarësisë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R. Biden.
Siç njofton Zyra e Presidentes, Biden me këtë rast ka konfirmuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.
“Kosova dhe SHBA-ja ndajnë një miqësi të qëndrueshme dhe partneritet – të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, të sigurt dhe të suksesshëm. SHBA-ja fuqishëm e mbështet një Kosovë multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike. Ne po ashtu vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuara nga BE-ja për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse me Serbinë – një hap i rëndësishëm përpara njohjes reciproke në fund (të procesit)”, shkruan në letrën e presidentit Biden.
Po ashtu, aty thuhet se “bashkë me vendet e rajonit dhe botës, SHBA-ja e inkurajon lidershipin e Kosovës që t’i përmbushë obligimet e tij, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi”.
Tutje, thuhet se edhe këtë vit SHBA-ja pret që të vazhdojë të punojë bashkë me Kosovën për rritjen ekonomike, fuqizimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e sundimit të ligjit.
“Pres që të vazhdojë bashkëpunimi ynë për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme që eventualisht të arrihet qëllimi i Kosovës për integrim në BE”, thuhet në letër.
Kosova shënon më 17 shkurt 16-vjetorin e pavarësisë së shpallur në vitin 2008./aa