Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë është hapur ekspozita me dokumente arkiore “Adem Demaçi: Vdes kur dua vetë” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës.
Në këtë ekspozitë, ku u shfaqën arkiva të ndryshme të atdhetarit Demaçi, morën pjesë përfaqësues të institucioneve në Kosovë, familjarë dhe bashkëpunëtorë të Demaçit, profesorë universitarë dhe të ftuar të tjerë.
Ekspozita e cila u hap në kuadër të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës përfshinë dokumente të ndryshme gjyqësore, letra dhe shkrime të Demaçit gjatë kohës sa ai mbajti burgun dhe jashtë burgut.
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, në hapjen e kësaj ekspozite, theksoi se Adem Demaçi me luftën e tij politike u bë hero i heronjve.
Bislimi tha se në ekspozitë janë shpalosur dokumentet nga arkivi për aktgjykimet e Demaçit, si dhe veprat e tij të shkruara brenda dhe jashtë burgut.
“Për jetën dhe veprën e heroit të pavdekshëm të Kosovës është folur, flitet dhe do të flitet gjithmonë, sepse gjithë kjo do të këtë horizonte të reja të shpjegimit dhe të mbarështrimit të gjithë asaj sakrifice, qëndrese dhe rezistence frymëzuese për lirinë që Adem Demaqi e mbolli, e mirëmbajti, e rriti dhe e la të gatshme për të vazhduar më pas bashkë me të edhe mijëra e mijëra heronj e heroina të pendës dhe pushkës deri në kurorëzimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha ai.
Selatin Novosella, bashkëluftëtari i Adem Demaçit, tha se trashëgimia e Adem Demaçit i bën nder gjithë kombit shqiptar.
Ai madje përdori edhe disa fjalë të Adem Demaçit të cilat edhe pse janë thënë në vitin 1958, sipas tij, janë aktuale edhe sot.
“Nëse Serbia dhe Jugosllavia vazhdojnë këtë politikë ndaj shqiptarëve dhe nuk lejojnë të bashkohen viset shqiptare në Jugosllavi me nënën Shqipëri, do të bëhet shkaktare e trazirave dhe kryengritjeve në Jugosllavi dhe në rajon”, tha Novosella duke cituar fjalët e Demaçit.
Madje, sipas Novosellës, Demaçi kishte parashikuar se nëse Serbia do të vazhdonte me politikën e saj të atëhershme, në fund do të mbetej edhe pa Kosovën.
Adem Demaçi, veprimtar i lirisë për Kosovën, i njohur me nofkën "Mandela i Ballkanit", kaloi 28 vjet të jetës së tij në burg në ish-Jugosllavi, për propagandë dhe për krijimin e një organizate.
Në vitin 2010, Demaçi u dekorua me urdhrin "Hero i Kosovës”, dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës./aa