Presidenti amerikan Joe Biden tha se shpreson që Izraeli të mos kryejë pushtimin e planifikuar tokësor të qytetit jugor të Gazës, Rafah, ku mbi 1,4 milion palestinezë të zhvendosur kanë kërkuar strehim teksa negociatat për një armëpushim po zhvillohen.
Biden tha se "e parashtroi rastin” në telefonatën "e gjatë" me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke shtuar se “duhet të ketë një armëpushim të përkohshëm për të nxjerrë të burgosurit jashtë, për të nxjerrë pengjet. Dhe kjo është duke u zhvilluar”.
"Unë kam ende shpresë se kjo mund të bëhet. Dhe ndërkohë, nuk parashikoj, po shpresoj që izraelitët nuk do të bëjnë ndonjë pushtim masiv tokësor ndërkohë", tha presidenti amerikan në fjalimet televizive kombëtare.
"Pritja ime, kjo nuk do të ndodhë. Duhet të ketë një armëpushim të përkohëshëm" për të lehtësuar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, tha Biden, duke shtuar:
"Shpresa dhe pritshmëria ime është që ne do ta arrijmë këtë marrëveshje pengjesh, do t'i sjellim amerikanët në shtëpi. Marrëveshja po negociohet tani dhe ne do të shohim se ku do të na çojë".
Një armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit ishte arritur më parë për një javë nga 24 nëntori deri më 1 dhjetor, i ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA, gjatë së cilës armiqësitë u ndërprenë, të burgosurit u shkëmbyen dhe në Gazën e rrethuar u dorëzua ndihma humanitare jashtëzakonisht e kufizuar.
Izraeli beson se 134 izraelitë mbahen ende në Gaza pasi ushtria izraelite arriti të hënën të lirojë dy pengje në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori janë vrarë mbi 28.800 palestinezë, përfshirë të paktën 12.300 fëmijë dhe 8.400 gra, si dhe janë plagosur 68.552 të tjerë.
Rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka zhvendosur brenda territorit 85 për qind të popullsisë së Gazës, e cila po përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 70 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli është akuzuar për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Armiqësitë kanë vazhduar pa u ndërprerë dhe dërgesat e ndihmave mbeten shumë të pamjaftueshme për të përballuar katastrofën humanitare në Gaza.
Pavarësisht kundërshtimeve ndërkombëtare, Izraeli planifikon një pushtim tokësor në Rafah, ku janë strehuar rreth 1,4 milionë refugjatë./aa