Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka thënë se me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, do të thyheshin të gjitha principet dhe ligjet e së drejtës ndërkombëtare. Sipas tij shtetet e mëdha anëtare të KiE, të cilat Vuçeviç i quan patronë të pavarësisë së Kosovës, po prishin rregullat e vendosura nga vetë ata.
“Për herën e parë ka një territor që nuk është shtet në kuptimin e plotë, që i jepet statusi i entitetit të favorizuar për anëtarësim në KiE dhe ky është hapi i parë. Sot mblidhet komiteti, pastaj është Asambleja Plenare dhe ndoshta në maj Këshilli i Ministrave që ka për ta thënë fjalën e fundit”, ka thënë Vuçeviç për RTS.
Zëvendëskryeministri në qeverinë serbe ka thënë se Beogradi ka përgjigje adekuate lidhur me situatën por që nuk e ka thënë atë.
“Shohim që në nivelin diplomatik do të bëjmë gjithçka që mundemi dhe natyrisht që shteti i Serbisë ka përgjigje adekuate për të gjitha situatat, qoftë edhe në raport me atë që do të ndodhë në Këshillin e Evropës, për të cilën ne nuk po nxitojmë, që nuk bëhemi heroikë, por që ne bëjmë gjykime të mira që janë në interesin tonë kombëtar dhe si mund ta mbrojmë të vërtetën në këto kushte gati të pamundshme”, ka theksuar ai.