Agjencia e Prokurimit Publik (APP) u ka kërkuar institucioneve që të respektojnë kërkesat ligjore sa i takon raportimit që duhet të bëhet nga ana e tyre për ecurinë e zbatimit të kontratave që kanë përfunduar në vitin që lamë pas.
Në një shkresë drejtuar këtyre autoriteve APP nënvizon detyrimet që kanë këto autoritete.
“Agjencia e Prokurimit Publik sjell në vëmendje të autoriteteve/enteve kontraktore që, në zbatim të ligjit “Për Prokurimin Publik”, kanë detyrimin të ndjekin zbatimin e kontratës sipas kushteve në bazë të të cilave është nënshkruar, për të garantuar se ajo zbatohet në kohën, cilësinë dhe vlerën e përcaktuar, në përputhje me kushtet e përcaktuara në dokumentet e tenderit dhe me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e APP-së.
Gjithashtu, APP u rikujton autoriteteve apo enteve kontraktore se kanë detyrimin të raportojnë pranë APP për ecurinë e zbatimit të kontratës, nëpërmjet formularit të raportimit, i cili duhet të dërgohet brenda 30 ditëve nga përfundimi i kontratës.
Sipas APP-së, në rast të mospërfundimit të zbatimit të kontratës brenda afatit të parashikuar, autoriteti kontraktor duhet të dërgojë pranë APP formularin e raportimit të ndërmjetëm, ku të pasqyrojnë arsyet e mosrealizimit të kontratës brenda afatit të parashikuar dhe masat e marra në këtë drejtim.
Raportimi nga ana e institucioneve, thekson APP, duhet të bëhet sipas formularit standard të miratuar me Udhëzimin “Mbi raportimin e zbatimit të kontratës”, i cili mund të dërgohet edhe në rrugë elektronike pranë APP./ata