Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi rezultatet finale të anketës strukturore të ndërmarrjeve për vitin 2022, sipas të cilave numri i ndërmarrjeve ekonomike aktive në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shënoi rritje me 9.1 %, krahasuar me vitin 2021, duke arritur në 113.460 gjithsej.
Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet tregtar kanë zënë përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve me 36.5 %.
Numri i të punësuarve gjithsej në vitin 2022 ka qenë 547.942, duke u rritur me 5.5 %, krahasuar me vitin 2021. Prodhuesit e shërbimeve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorët tregti, akomodim dhe shërbim ushqimor, transport dhe komunikacion dhe shërbime të tjera, zënë 64.8 % të numrit të të punësuarve gjithsej.
Prodhuesit e të mirave që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorët industri nxjerrëse, industri përpunuese, energji, ujë, trajtimi i mbetjeve dhe sektorin e ndërtimit, zënë 35.2 %.
Shitjet neto në vitin 2022 arritën vlerën 3.359 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 26.7 % ndaj vitit 2021.
Prodhuesit e shërbimeve zënë pjesën më të madhe të shitjeve neto të realizuara duke përbërë 64.7 % të shitjeve neto gjithsej.