Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishin në Klos në një takim me sipërmarrës të cilët kanë investuar për ngritjen e bujtinave.

Ministrja Denaj në një postim në rrjetet sociale u shpreh se në takimin me fermerë e sipërmarrës të agroturizmit e bujtinave, u diskutua për strategjinë e zhvillimit të agroturizmit.

“Strategjia e Agroturizmit ndërlidh bujqësinë me turizmin, si potenciali më i mirë për të  zhvilluar ekonominë e çdo zone, pasi për 100 njësi agroturistike, kthehet në ekonominë e asaj zone më shumë sesa 12 milionë euro në vit dhe shumë se sa 1700 punësime”, theksoi Denaj.

Ministrja u shpreh se, objektiv është rritja e numrit të njësive agroturistike të certifikuara.

“Objektiv rritja e numrit të njësive agroturistike të certifikuara, që të ndërtojmë një standard cilësie, i cili do tregojë më shumë për çdo punë, mundim, lodhje, sakrificë të çdo sipërmarrësi dhe zonjave duararta që me aq shumë dashuri gatuajnë shijen shqiptare dhe na japin këtë vlerë të shtuar të bujqësisë”, theksoi Denaj./ata