Në Shqipëri është hapur ekspozita me temë "Rizgjimi në vlerat kombëtare, Kosova Republikë", në kuadër të 16-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Ekspozita është organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), në ambientet e Kalasë së Tiranës, ndërkohë ajo përmban fotografi dhe dokumente të ndryshme për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe mbi demonstratat në Kosovë.
Drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, në një deklaratë për mediat tha se në kremtimin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës zgjodhën që të shpalosin një ekspozitë mbi bashkëpunimin mbarë shqiptar.
"Përmes këtyre stendave ne nxjerrim dokumente të rëndësishme të cilat vijnë si nga arkivi i Republikës së Shqipërisë ashtu edhe nga arkivi i Republikës së Kosovës mbi idetë që sollën Kosovën e pavarur. Uroj të gjithë shqiptarët për këtë ditë të rëndësishme, për Ditën e Pavarësisë së Kosovës", u shpreh Bido.
Zv/ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Burim Susuri, në deklaratën e tij tha se ekspozita është voluminoze dhe me materiale nga periudha të ndryshme kohore.
Ekspozita përmban dokumente dhe fotografi mbi marrëveshjet e bashkëpunimit shkencor në fillim të viteve 70-të mes Kosovës dhe Shqipërisë, nga marrëveshjet dhe takimet e grupeve të punës midis institucioneve të arsimit, grupet kulturore, demonstratat e studentëve në Prishtinë dhe analiza të shtypit mbi tematikat e ndryshme për Kosovën deri në vitin 1979.
Mesazhe urimi nga zyrtarët e Shqipërisë
Me rastit e 16-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, zyrtarët e lartë të Shqipërisë kanë përcjellë mesazhe e tyre të urimit.
Në mesazhin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, publikuar në rrjetet sociale thuhet se "Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë".
Presidenti Begaj thekson se sot Kosova është një histori suksesi në Ballkan, sipas tij "në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara".
"Gëzuar Pavarësinë Kosovë", ka shkruar kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
Ndërkohë, një mesazh urimi ka publikuar edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është një ngjarje historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar", thuhet në mesazhin e kryparlamentares Nikolla, publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.
"Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës, të mbështetura nga aleatët strategjikë të shqiptarëve, SHBA, BE dhe NATO. Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë", thuhet në mesazhin e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë./aa