Mbytja e 73 emigrantëve pas përplasjes së varkës së tyre në brigjet e Italisë, ka qenë katalizatori i një vale operacionesh të rojes bregdetare italiane, falë të cilave janë shpëtuar me qindra emigrantë në disa varka përreth bregdetit të vendit tonë fqinj.
Në një deklaratë të rojes bregdetare flitet për mbi “ 1 mijë persona në rrezik”. Presidenti i rajonit jugor Kalabria, Roberto Occhiuto, pohoi se gjithsej 1300 emigrantë ishin në këto varka, për të cilat agjencia kufitare Frontex e BE-së tha se mund të përballeshin me probleme.
Njëri prej incidenteve u regjistrua pikërisht pranë qytetit kalabrez të Crotones, ku ndodhi tragjedia e 26 shkurtit. Tre mjete të rojës bregdetare kanë tentuar të largojnë rreth 500 emigrantë nga një varkë aty.
Anije të tjera janë dërguar gjithashtu për të shpëtuar 800 emigrantë të gjendur në dy varka të tjera më thellë në det. Një motovedetë e marinës italiane gjithashtu u dërgua me shpejtësi në zonë për të ndihmuar.
“Operacionet e shpëtimit janë në veçanti komplekse për shkak të numrit të madh të njerëzve në këto varka”, njoftoi roja bregdetare. Në një tjetër incident të mëparshëm të premten, roja bregdetare shpëtoi rreth 500 emigrantë pranë ishullit jugor italian Lampedusa, njoftuan mediat lokale.
Sipas Frontex-it, ditët e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të emigrantëve që tentojnë kalimin në Mesdheun Qendror. Vetëm të premten, avionët e dronët e kësaj agjencie kanë pikasur 20 varka me qindra emigrantë që u ishin drejtuar brigjeve italiane.