Në vijim të fushatës sensibilizuese për mbrojtjen e viktimave të dhunës, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka ndjekur nga afër një shfaqje teatrale, ku të rinjtë, pjesë e tre gjimnazeve të qytetit të Lezhës, ngjitën në skenë histori të vërteta në lidhje me tematikën e fortë të mbrojtjes së viktimave të dhunës.

Ministri Manja, ndërsa publikoi foto nga shfaqja teatrale, nënvizoi se dhuna duhet denoncuar në çdo rast.

Lezha ishte etapa e parë e fushatës sensibilizuese në mbrojtje të viktimave të krimit. Kjo fushatë do të vijojë me një sërë aktivitetesh edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa kjo iniciative po mbështetet nga UNICEF dhe qendra komunitare “Sot për të Ardhmen”.

Gjatë ditës së djeshme, Manja i shoqeruar nga nenkryetari i bashkise Lezhe Ermal Pacaj dhe përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Murat Sahin përcollën mesazhin për të qenë bashkë në krah të këtyre kauzave, teksa morën pjesë dhe në inaugurimin e një pikture murale të realizuar me përfshirjen e të rinjve.

“Në radhë të parë është që të gjitha institucionet të punojmë bashkërisht në mënyrë institucionale për të trajtuar rastet; dhe e dyta, është që po bashkërisht i gjithë komuniteti, shoqëri civile etj., të bëhen bashkë për t’i mbrojtur viktimat e krimit”, theksoi Manja.

Qeveria shqiptare ka miratuar një strategji për mbrojtjen e viktimave të krimit, e cila do të përkthehet në një plan veprimi të qartë. Sipas strategjisë, të gjitha institucionet e interesuara duhet të bashkërendojnë punën për identifikimin, parandalimin, por edhe për trajtimin dhe ri-integrimin e viktimave të dhunës. Ndërkohë, çdo vit do të zhvillohet java sensibilizuese në mbrojtje të viktimave të krimit, e cila do të jetësohet nga data 15-22 shkurt./ata