Qyteza e Pecës është monument kulture i kategorisë së parë shpallur në vitin 2007 që ndodhet në pikëtakimin e dy lumenjve Drin i Bardhë dhe Lumë, në një gjuhëz kodrinore ku përballë Kullës së Lumës ngrihet kështjella e Pecës.
Kjo kodër e njohur me toponimin ‘Kodra e Pecës’ kufizohet sot në tri anët (veri–jug-perëndim) nga ujërat e liqenit artificial të hidrocentralit të Fierzës, ndërsa nga ana lindore e saj lidhet me fshatin Perbreg.
Kështjella për herë të parë është gjurmuar nga arkeologu Bep Jubani, i cili, në bazë të vrojtimeve të kryera, e përfshiu këtë vendbanim në periudhën e shekujve III-IV të e. sonë. Pjesa e sipërme e kodrës, ku shtrihet një pllajë e vogël, u kufizua me mure rrethuese me perimetër 445 m, duke fortifikuar një sipërfaqe prej 1 ha, por gjurmë të vendbanimit janë vënë re dhe jashtë sistemit fortifikues të kështjellës.
Muret rrethuese përgjithësisht ruhen mirë, sidomos në anët veriore dhe lindore. Një pjesë e tyre u zbulua nga gërmimet në lartësi që luhatet nga 0,40-1,70 m. Ato ndjekin relievin e kodrës, duke i dhënë kështjellës një formë të çrregullt e të ndërvarur nga terreni. Ana veriore e kështjellës ka një mbrojtje të sigurt natyrore nga rrëpirat shkëmbore që zbresin thikë mbi Drinin e Bardhë. I vetmi shteg kalimi, që përbëhet prej një masivi shkëmbor, ndodhet në skajin veri-perëndimor.
Gjatë gjithë linjës së tij, veçanërisht në anën jugore, muri rrethues vijon me disa kënde të lehta, ndërsa në anën juglindore bën një kalim paksa të harkuar./ata