Një tjetër sukses i sportistëve të Tiranës. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka uruar sportistin Zelimkhan Abakarov që mbron ngjyrat kuqezi për arritjen si nënkampion Europe në mundje.
“Zelimkhan Abakarov nënkampion Europe në mundje. Fantastike! Vazhdoni na bëni krenarë kampionë”, shkruan Veliaj.
Mundësi shqiptar, Zelimkhan Abakarov fitoi medaljen e argjendtë në stilin e lirë të peshës 61 kilogramë, në Europianin e mundjes në Bukuresht. Në finale, rusi i natyralizuar si shqiptar u mund 7-4 nga rusi Abasgadzhi Magomedov, por që garonte si neutral pasi Rusia është përjashtuar nga aktivitetet. Abakarov zhvilloi një sfidë të mirë, duke qenë edhe në epërsi në këtë finale, por pa mundur ta mbrojë rezultatin deri në fund. Medalja e argjendtë është një rezultat jo i keq për Abakarov, ish-kampion bote në këtë peshë dy vite më parë.
Një ditë më parë, mundësi tjetër kuqezi Islam Dudaev fitoi medaljen e artë në peshën 65 kilogramë, ndaj medalja e Abakarov është e dytë për Shqipërinë në këtë turne./ata