Kombëtarja U-17 do të nisë pasditen e kësaj të hëne një seleksionim treditor rutinë me futbollistët që aktivizohen në klubet dhe akademitë shqiptare.
Ky do të jetë seleksionimi i dytë i ekipit Kombëtar U-17 për këtë vit teksa qëllimi kryesor është për të parë nga afër gjendjen e futbollistëve më të spikatur të grup-moshës U17.
Trajneri Ardi Behari ka publikuar edhe listën me emrat e 20 lojtarëve të përzgjedhur. Të gjithë lojtarët e grumbulluar janë të vitlindjes 2008-2009 dhe 19 prej tyre vijnë nga klubet e kampionatit shqiptar.
Lojtarët e thirrur aktivizohen me Partizanin, Tiranën, Skënderbeun, Akademinë Pepa, Akademinë e Futbollit, Tomorrin dhe Vllazninë, ndërsa mbrojtësi Edolind Topalli vjen nga klubi i Beslidhjes së Kosovës.
Nën drejtimin e trajnerit Ardi Behari, lojtarët e grumbulluar do të stërviten në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit“ dhe do të punohet në aspektin fizik e teknik, por edhe në aspektin taktik individual.
Synimi i seleksionimit rutinë vetëm me lojtarët që aktivizohen në klubet dhe akademitë shqiptare është që të rritet sa më shumë cilësia e lojtarëve vendas, në mënyrë që ato të bëhen baza e ekipeve Kombëtare të moshave.
Më poshtë, edhe lista me emrat e 20 lojtarëve të ftuar nga stafi teknik i Kombëtares U-17 për seleksionimin 3-ditor: