Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se pauza humanitare në Gaza është jetike.

Baerbock bëri një deklaratë për gazetarët para takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) i cili mbahet në Bruksel.

Ministrja Baerbock u shpreh se në takim do të diskutohet edhe situata në Lindjen e Mesme dhe sipas saj duhet të bëhet çdo gjë për mbrojtjen më të mirë të njerëzve në Gaza, për dërgimin e ushqimeve ndaj tyre dhe për lirimin e pengjeve.

"Për këtë arsye pauza humanitare ndaj konflikteve është jetike", tha Baerbock, e cila nënvizoi se do të vazhdojnë të bëjnë presion për këtë çështje.

Duke vënë në dukje se në të njëjtën kohë dëshirojnë të parandalojnë përhapjen e dhunës në rajon, Baerbock theksoi se vërehet që tensioni sa vjen e rritet kryesisht në Bregun Perëndimor. "Për këtë arsye shumë herë jam shprehur se nuk mund të lihet pa komentuar kryesisht qëndrimi i kolonëve pro ekstremistë", shtoi ministrja Baerbock.

Ajo tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë për të punuar mbi masat e sanksioneve në këtë çështje dhe deklaroi se kjo është shkelje e hapur e ligjit dhe se kolonëve pro ekstremistë duhet t‘i shprehet në mënyrë të qartë se BE nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj kësaj.

Baerbock, foli edhe për luftën Rusi-Ukrainë që vazhdon prej rreth dy vitesh dhe përsëriti thirrjen se do të qëndrojnë pranë Ukrainës për sa kohë që ajo ka nevojë.

Më tej pasi theksoi se është pro që kundër Rusisë të zbatohen sanksione të tjera, Baerbock informoi se aktualisht janë në procesin për të pranuar paketën e 13-të të sanksioneve, kryesisht në çështjen e mjeteve ajrore pa pilot dhe se së shpejti do të merret një vendim për këtë çështje./aa