Thellimi i bashkëpunimit dhe vijimi i zbatimit i autonomisë spitalore ishte në fokus të diskutimeve mes ministres e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu dhe ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Turqisë, Fahrettin Koca.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu ka publikuar foto dhe detaje nga takimi i zhvilluar të martën në Ankara.

“Me Dr. Dr.Fahrettin Koca, ministër i Shëndetësisë të Republikës së Turqisë, diskutuam rritjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë në fushën e Shëndetësisë”, shkruan Koçiu.

“Në fokus të diskutimeve ishte vazhdimi i zbatimit të autonomisë spitalore në Spitalin Memorial Fier dhe shtrirja e asistencës së bashkëpunimit, sipas këtij modeli në të gjithë sistemin spitalor publik, të lançuar edhe në QSUT “Nënë Tereza” dhe në spitalet rajonale të Durrësit, Vlorës, Lezhës dhe Shkodrës”, përfundon Koçiu.

Ministrja Koçiu është pjesë e delegacionit qeveritarë të vendit, me në krye Kryeministrin Edi Rama, që ndodhen Ankara, ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje me qeverinë e Turqisë në fusha të ndryshme, si siguria, turizmi, media..etj./ata