Sebastiani dhe Metjani janë dy infermierët më të rinj të Spitalit Bashkiak të Pogradecit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u takua sot me ta dhe shkruan në rrjetet sociale se, “gjatë vizitës në Spitalin e Pogradecit u njoha me Sebastianin dhe Metjanin, fituesit e portalit “Infermierë për Shqipërinë” të cilët me meritokraci arritën të fitonin pikët maksimale dhe nisën punën bashkë me ekipin e mjekëve në shërbim të qytetarëve të Pogradecit”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi sot Spitalin Bashkiak të Pogradecit. Ajo pa nga afër investimin më të fundit në pajisje mjekësore që kanë shtuar gamën e ekzaminimeve, që ofron ky spital bashkiak, i cili ofron shërbime shëndetësore për rreth 92 mijë banorë, por gjatë sezonit të verës, ky numër 2 dhe 3-fishohet për shkak të fluksit të lartë të turistëve, që zgjedhin të kalojnë pushimet në këtë qytet.

Koçiu bëri me dije se Spitalit të Pogradecit i është shtuar gama e ekzaminimeve në shërbimin e kardiologjisë, nëpërmjet instalimit të pajisjeve të reja ekzaminuese, grafi digjitale X- Ray, eko kardiake si dhe ngritjen e kabinetit të provës ushtrimore./ata