Aktivisti nga Zelanda e Re, Roger Fowler tha se ato që Izraeli ka bërë janë gjenocid dhe se ai nuk e ka fshehur këtë qëllim që nga fillimi.

Fowler, i cili është organizator i Rrjetit të Solidaritetit të Palestinës në Zelandën e Re dhe që mbështet Flotën Ndërkombëtare të Lirisë e planifikuar për të thyer rrethimin e Gazës, iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të Anadolu (AA) në Istanbul ku ai ndodhet.

Duke tërhequr vëmendjen mbi sulmet e Izraelit kundër Gazës, Fowler tha se "Ky është padyshim gjenocid. Regjimi izraelit nuk e ka fshehur qëllimin e tij për të eliminuar ose zhvendosur popullin palestinez, kryesisht ata në Gaza. Po bëjnë një punë të tmerrshme të tillë si vrasjen e dhjetëra mijëra njerëzve, plagosjen e më shumë të tjerëve dhe eliminimin e një pjese të madhe të këtij vendi të bukur".

"Njerëzit duhet të veprojnë në emër të ndalimit sa më parë të këtyre sulmeve të tmerrshme", nënvizoi Fowler duke thënë se shpreson që Flota Ndërkombëtare e Lirisë do të ketë ndikim të madh në këtë aspekt.

"Janë zhvilluar marshime dhe protesta të mëdha kundër masakrës së Izraelit në Gaza e cila arrin deri në gjenocid", theksoi Fowler i cili shtoi se edhe ata vetë me protestat që kanë zhvilluar çdo javë janë përpjekur që të drejtojnë qeverinë e tyre të ndërmarrë qëndrim për këtë çështje dhe të shprehë hapur se ato që ka bërë Izraeli janë të papranueshme.

Ai tërhoqi vëmendjen se kjo "tragjedi" nuk është çështje vetëm e 4-5 muajve të fundit. "Prej 75 vitesh populli palestinez, kryesisht ai në Gaza, është trajtuar shumë keq dhe njerëzit në Gaza janë burgosur në atë pjesë të vogël toke. U janë penguar ushqimet e mjaftueshme, ilaçet, materialet e ndërtimit dhe qasjet në nevojat themelore", thotë Fowler.

Aktivisti nga Zelanda e Re shpjegoi se më parë ka shkuar 3 herë në Gaza me autokolona tokësore për të treguar solidaritet dhe se ka parë personalisht situatën e keqe.

"(Bojkoti) Një veprim shumë efektiv"

Fowler tha se bojkoti është një veprim shumë efektiv. "Besoj se krahas tërheqjes së kompanive të mëdha nga Izraeli dhe tërheqjes së mbështetjes së tyre nga Izraeli, ka ndikim të madh ushtrimi i presionit që qeveria izraelite dhe qeveritë tona të kuptojnë se duhet t'i japin fund asaj që po bëjnë", potencon ai.

Në vazhdim Fowler theksoi rëndësinë e bojkotit, izolimit dhe sanksioneve. Ai tha se forcimi i këtyre veprimeve dhe shndërrimi i tyre në lëvizje ndërkombëtare do të rrisë nivelin e ndikimit aq sa ato nuk mund të injorohen në të gjithë botën.

"Kjo është kategorikisht tragjike dhe zemërthyese"

"Edhe 'vendimi për gjenocid' i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) është bërë i paefektshëm për shkak të arrogancës së drejtuesve izraelitë", tha Fowler i cili shtoi se të gjitha shtetet duhet të jenë këmbëngulës dhe të ushtrojnë presion për zbatimin e këtyre vendimeve.

Sipas tij, personeli i Kombeve të Bashkuara (OKB) po përpiqet të bëjë më të mundurën e tij. "Herën e fundit që isha në Gaza u takova me personelin e OKB-së. Ata kanë programe shumë të mira mbështetëse dhe misione të ndihmës, por burimet e tyre janë plotësisht të pamjaftueshme", tha Fowler.

"Kjo është kategorikisht tragjike dhe zemërthyese. Gratë, fëmijët dhe familjet nuk kanë ushqime. Përpiqen të pinë ujë nga pellgjet e ujit. Njerëzit hanë bar. Kjo është një situatë shumë dëshpëruese. Me të vërtetë me vjen keq për ata. Askush nuk flet për fëmijët. Mijëra njerëz ndodhen nën rrënoja, foshnje dhe fëmijë të vegjël. Rruga e vetme për ta ndryshuar këtë është që njerëzit në mbarë botën të bashkohen dhe t'u bëjnë presion autoriteteve të ndalojnë këtë gjenocid dhe ta detyrojnë Izraelin të japë llogari", tha Fowler./aa