Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha sot se qeveria e Kosovës së shpejti do të prezantojë 10 masa lidhur me mënyrat se si qytetarët të mos dëmtohen gjatë “fazës kalimtare” të zbatimit të vendimit, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave, citohet Radio Evropa e Lirë.

Në fjalën e mbajtur sot në tryezën me temë “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, Bislimi tha se janë të vetëdijshëm për vështirësitë që mund të krijojë rregullorja e BQK-së te serbët në Kosovë.

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

“Ne jemi të vetëdijshëm që në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë. Banka Qendrore [e Kosovës] ka nxjerrë një varg aktivitetesh dhe masash përmes së cilave synon ta zbusë këtë ndikim”, tha Bislimi.

“Por, në ditët në vijim edhe Qeveria e Kosovës do të dalë me një listë prej dhjetë masash përmes së cilave ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë e cila do të garantonte pastaj zbatimin e plotë të sistemit të pagesave”, tha ai.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.

Po ashtu, më 21 shkurt një grup i mësimdhënësve në Mitrovicë të Veriut protestuan para Kursimores së Postës së Serbisë, pasi nuk morën pagat.

Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve./ata