Ministri i Jashtëm i Brazilit, Mauro Vieira bëri thirrje për zgjidhje "paqësore" lidhur me konfliktet që vazhdojnë në Ukrainë dhe Palestinë.

Vieira i cili filloi Takimin e Ministrave të Jashtëm të G20 në Rio de Janeiro nën organizimin e Brazilit tha se "Përparësinë tonë duhet ta japim në zgjidhjen paqësore të konflikteve që vazhdojnë në Ukrainë dhe Palestinë. Vendet në veri, ndryshe nga ato në jug janë bashkuar në një aleancë të luftës".

Ai tha se vendi i tij është "jashtëzakonisht" i shqetësuar nga konfliktet që vazhdojnë aktualisht. "Si mund të luftojmë me vështirësitë e tilla si varfëria, pabarazia dhe mbrojtja e mjedisit, pa siguruar kushtet për paqe dhe bashkëpunim?", theksoi Vieira.

"Ne jemi të gatshëm që si Brazil të bëjmë atë që i takon për uljen e tensioneve ndërkombëtare. G20 ka rol të rëndësishëm në këtë çështje. Institucionet shumëpalëshe nuk janë të përgatitura mjaftueshëm ndaj vështirësive aktuale dhe se Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka mbetur i paefektshëm në zgjidhjen e konflikteve në Rusi", tha shefi i diplomacisë braziliane.

Vieira theksoi rëndësinë e G20. "Kur merren parasysh problemet që vazhdojnë, vendet e G20 edhe pse kanë pikëpamje të kundërta, mund të ulen rreth një tryeze dhe të bisedojnë. Për këtë arsye G20 është një nga formatet më të rëndësishme në botë", tha ai.

Në vazhdim Vieira tha se shpenzimet ushtarake globale kanë arritur në përmasa rekord ndërsa përballë kësaj ndihmat për vendet e varfra dhe shuma e ndarë për ndryshimet klimatike janë të ulëta.

Në Takimin e Ministrave të Jashtëm të G20 mori pjesë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan./aa