Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk tha se ndikimi afatgjatë i luftës Rusi-Ukrainë që filloi më 24 shkurt 2023 do të ndihet ndër breza.

Në një deklaratë me shkrim lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, Türk tha se sulmet në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës, të cilat janë duke hyrë në vitin e tretë dhe që nuk i duket fundi, vazhdojnë të shkaktojnë shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të shkatërrojnë jetët dhe burimet e jetesës.

Ai theksoi se Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut ka konfirmuar se për shkak të luftës Rusi-Ukrainë kanë humbur jetën 10.582 persona ndërsa janë plagosur 19.875 të tjerë.

Türk shtoi se ka mundësi që shifrat reale të jenë më të larta.

"Për shkak të luftës miliona njerëz janë zhvendosur dhe mijëra të tjerë kanë humbur shtëpitë. Kjo situatë ka ndikuar në masë të rëndësishme mbi të drejtat shëndetësore dhe arsimore të njerëzve. Ndikimi afatgjatë i kësaj lufte në Ukrainë do të ndihet ndër breza", tha Komisioneri i Lartë i OKB-së.

Türk bëri thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe të pavarur për të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar të shkaktuar nga lufta./aa