Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka dënuar veprimin e disa fermerëve polak për mbajtjen e një pankarte pro-ruse gjatë protestave të tyre kundër politikës bujqësore të Bashkimit Evropian (BE), Marrëveshjes së Gjelbër dhe importeve pa taksa të mallrave agro-ushqimore nga Ukraina.
“Ka një gjë me të cilën nuk do të pajtohem kurrë... ne nuk mund të lejojmë që ata që hapur dhe paturpësisht mbështesin Putinin, i shërbejnë propagandës ruse dhe diskreditojnë shtetin polak, të jenë aktiv në kufirin polako-ukrainas, duke përfituar nga protestat e fermerëve”, tha Tusk në një konferencë për media në Varshavë.
Fermerët nisën një grevë 30-ditore më 9 shkurt, duke ndërprerë deklarimin në doganë të mallrave, me një kalim të kufirit që thuhet se tani kërkon më shumë se dy javë.
Dje, fermerët polak intensifikuan protestën e tyre duke bllokuar transportin hekurudhor në fshatin Medyka në kufirin me Ukrainën dhe duke derdhur drithërat nga vagonët e ardhur ukrainas në shinat hekurudhore.
Protestat, të cilat u intensifikuan këtë javë me mbi 200 bllokada rrugore dhe hekurudhore, shfaqën një pankartë me sloganin “Putin, vendosi gjërat në rend me Ukrainën, Brukselin dhe pushtetarët tanë”.
Slawomir Izdebski, kryetari i një prej sindikatave të fermerëve, foli për mediat polake, duke theksuar se, “Nuk jam i sigurt nëse ky ishte një provokim apo një vendim i vetëdijshëm nga një prej fermerëve. Asgjë e tillë nuk duhet të ndodhë”.
Sot më herët, Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë pretendoi se disa elementë në protesta ishin “ndoshta të ndikuar nga agjentët rusë”.
“Në vlerësimin tonë, kjo është një përpjekje për të marrë nën kontroll lëvizjen e protestës bujqësore nga grupe ekstreme dhe të papërgjegjshme, ndoshta të ndikuar nga agjentët rusë”, tha ministria polake.
Tusk refuzon propozimin e presidentit Zelenskyy për bisedime
Të mërkurën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, bëri thirrje për një takim me kryeministrin Tusk brenda katër ditëve për të zgjidhur çështjen në lidhje me eksportet e drithërave ukrainase.
“Kam urdhëruar qeverinë tonë që të arrijë në kufirin mes vendeve tona në të ardhmen e afërt, deri më 24 shkurt. Unë ju bëj thirrje Donald, z. kryeministër, të vini edhe ju në kufi”, shkroi Zelenskyy në platformën sociale X.
Tusk gjatë konferencës për media refuzoi propozimin e takimit. Ai tha se qeveritë polake dhe ukrainase nuk do të takohen në kufi.
“Ne nuk kemi nevojë për simbolikë në marrëdhëniet tona. Unë nuk do të ndalem së punuari për të mbrojtur interesat e fermerëve polak. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ukrainën dhe Komisionin Evropian”, tha Tusk.
Kryeministri polak tha se qeveria e tij dhe ajo e Ukrainës do të takohen në Varshavë më 28 mars.
“Dua t’ju siguroj se bisedimet me Ukrainën janë në vazhdim. Këto marrëdhënie janë të mira, megjithëse ka dallime në interese”, shtoi ai.
Eliza Dzwonkiewicz, konsullja e përgjithshme e Polonisë në qytetin ukrainas Lviv, gjithashtu ka kritikuar protestat e fermerëve në një postim në rrjetet sociale.
“Një polak i vërtet nuk do t’i godiste kurrë pas shpine fqinjët e tij që luftojnë për liri. Turp”, shkroi ajo./aa