Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar protokollin ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, ndërkohë edhe seanca e sotme është përfshirë nga tensionet.
Protokolli në fjalë u miratua mes tensioneve në seancën e sotme parlamentare, me 77 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Projektligji për ratifikimin e protokollit do të hyjë në fuqi pas dekretimit nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. Gjithashtu, në protokollin e nënshkruar mes dy vendeve thuhet se protokolli në fjalë do të hyjë në fuqi në datën e bashkërenduar nga palët me anë të shkëmbimit të notave verbale.
Ndërkohë, tensionet në Kuvendin e Shqipërisë vazhdojnë, pasi edhe në seancën e sotme nuk u zhvilluan diskutimet për projektligjet në rendin e ditës.
Deputetët e opozitës nga Partia Demokratike (PD) dhe jashtë grupeve parlamentare bllokuan diskutimet në seancë, duke qëndruar në këmbë, përdorur zhurmues dhe duke bllokuar foltoren.
Qëndrimet e deputetëve të opozitës në seancat e fundit parlamentare janë në vazhdën e tensioneve në Kuvend që në fund të vitit 2023. Seancat e Kuvendit të Shqipërisë në muajit e fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti u përfshinë nga tensionet pasi sipas deputetëve të opozitës nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen në Kuvend nismat dhe kërkesat e tyre.
Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit
Më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshje shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali. Protokolli, që parashikon ngritjen në Shqipëri të qendrave të pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që do ndërtohen, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.
Deputetë e opozitës kërkuan shpalljen e protokollit në fjalë të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Sipas deputetëve të opozitës nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe deputetët të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare, të cilët paraqitën në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së protokollit, në lidhje me protokollin në fjalë "ka munguar në mënyrë të plotë transparenca".
Pas disa seancave në lidhje me kërkesën e deputetëve të opozitës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë më 29 janar la në fuqi protokollin në fjalë.
Protestë kundër ndryshimeve ligjore "Për zonat e mbrojtura”.
Projektligjet u votuan mes tensioneve, ndërkohë seanca zgjati rreth 8 minuta, duke u mbyllur nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Në seancën e sotme u votua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, edhe projektligji për ndryshimet në Ligjin “Për zonat e mbrojtura”, ndërsa në lidhje me këto ndryshime një grup i qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile kanë protestuar për të kundërshtuar miratimin nga parlamenti të ndryshimeve në fjalë.
Me sloganin "Mos voto projektligjin masakrues të zonave të mbrojtura", qytetarët dhe aktivistët kanë protestuar sot gjatë seancës para selisë së seancave plenare, duke kundërshtuar ndryshimet në fjalë, pasi sipas tyre dëmtojnë dhe shkatërrojnë zonat e mbrojtura në vend.
Sipas autoriteteve shqiptare, qëllimi i ndryshimeve ligjore në Ligjin “Për zonat e mbrojtura” është evidentimi i politikave të reja që duhet të zbatohen në zonat e mbrojtura si rezultat i realiteteve të reja dhe i nevojës për një zhvillim të qëndrueshëm “duke ofruar një mundësi zhvillimi, duke krijuar vende pune, ekonomi dhe një perspektivë rajonale”./aa