Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë zhvilluar takim me kryetarët e komunave në Kosovë me qëllim që të dëgjohen kërkesat e tyre dhe të bëhet bashkërendimi i aktiviteteve.

Në këtë takim morën pjesë edhe ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Kryeministri Kurti para të pranishmëve tha se për tre vjet sa udhëheq qeverinë, buxheti për komunat është rritur me 195 milionë euro.

“Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro. Gati gjysmën e buxhetit të disponueshëm qeveria ua ndan komunave. Po bëhet viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak 2023”, theksoi Kurti.

Kurti tha se Komuna e Ferizajt dhe ajo e Gjakovës janë komunat më të mbështetura nga ministritë përkatëse për projekte infrastrukturore.

Sipas kryeministrit, për një nga problemet e pothuajse të gjitha komunave, atë të qenve endacakë, do të ndërtohen katër strehimore, në Prishtinë, në Prizren, Pejë dhe Gjilan, derisa bëri thirrje për bashkëpunim në arritjen e objektivave në Strategjinë për Qentë Endacakë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se buxheti për vitin 2024 për komunat është mbi 742 milionë euro, ndërsa asnjëherë më parë s’ka pasur buxhet më të lartë.

Ai tha se me këtë shumë mund të ndikohet drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, ndërsa u bëri thirrje komunave të aplikojnë në programet përfituese të ministrisë.

“U bëj thirrje komunave për aplikim në programin për financimin e projekteve infrastrukturore i cili është i hapur deri më 28 shkurt në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal”, theksoi Krasniqi.

Pas deklarimeve të Kurtit dhe Krasniqit, mbledhja është mbyllur për media. Në këtë takim nuk ishin prezentë shumica e kryetarëve të komunave./aa