Po mbahet në Prishtinë konferenca rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”.
Në këtë konferencë, ku mori pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe deputete nga partitë e opozitës në vend, u fol për rolin e grave në Kosovë në dritën e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gratë dhe vajzat e Kosovës janë kampione të agjendës së paqes dhe sigurisë në vend dhe më gjerë.
Osmani tha se pjesë kyçe e historisë së Kosovës, në të gjitha fazat e saj, kanë qenë gratë dhe “Kosova e meriton të jetë pikë reference në hartën globale sa i përket angazhimit në drejtim të jetësimit të agjendës për gratë”.
“Në bosht të historisë së popullit tonë, të Kosovës tonë, në fazat e ndryshme të saj, si në kohën e rezistencës paqësore ashtu edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe pas luftës në procesin e ndërtimit të paqes, në procesin e shtetndërtimit, edhe sot derisa fuqizojmë pozitën tonë në arenën ndërkombëtare, ka qenë pikërisht roli i grave që ka shtyrë përpara paqen dhe sigurinë në vendin tonë e më gjerë”, tha Osmani në konferencë.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca theksoi se pavarësisht pjesëmarrjes së grave në jetën politike e fusha të tjera, numri i tyre nuk i afrohet atij të burrave dhe kjo, sipas tij, duhet të ndryshojë.
Konjufca tha se agjenda për gratë qëllim kryesor e ka pozicionimin e grave si partnere të barabarta në të gjitha fushat që lidhen me paqen dhe sigurinë.
“Kosova është një shembull i mirë i përkushtimit për përmbushjen e agjendave globale, pavarësisht faktit që shpesh herë jemi të kufizuar për t’i dhënë zë punës tonë në këta organizma në të cilët ne ende nuk jemi anëtarë. Ne kemi shumë shembuj të grave e vajzave të Kosovës që janë angazhuar aktivisht për ta shtyrë këtë agjendë përpara, ashtu siç kanë kontribuuar gjatë të gjitha etapave të shtetndërtimit tonë”, theksoi Konjufca, i cili shtoi se Kosova përveç kësaj e ka edhe presidenten grua.
Në kuadër të kësaj konference po merr pjesë edhe Etilda Gjonaj, raportuese e Përgjithshme në Këshillin e Evropës për dhunën ndaj grave, njëherësh deputete e Kuvendit të Shqipërisë.
Rezoluta 1325 “Gratë, Paqja dhe Siguria”, është miratuar më 31 tetor të vitit 2000 në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo rezolutë sjell në vëmendje të OKB-së integrimin e perspektivës gjinore në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes si dhe mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna me bazë gjinore.
Rezoluta kërkon gjithashtu angazhimin e shteteve për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë së përgjegjësve për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, përfshirë këtu edhe ato që janë të lidhura me dhunën seksuale dhe llojet e tjera të dhunës ndaj grave dhe vajzave./aa