Është prezantuar edicioni i parë i Barometrit të Reformave Evropiane me fokus në punën e Qeverisë së Kosovës.

Në prezantimin e barometrit nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), mori pjesë edhe Zëvendësshefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Eva Palatova, ministra të kabinetit qeveritar dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Drejtoresha e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla tha se ky edicion i parë i barometrit të reformave evropiane përfshinë vitin 2023, derisa theksoi se në vitet e fundit përpjekjet për integrimin evropian të Kosovës në njëfarë mënyre e kanë humbur momentumin "për shkak të neglizhencës ose mungesës së vullnetit politik".

Ajo tha se Kosova ka patur mungesë sistematike të reformave obligative në procesin e integrimit evropian.

"Gjithë këta faktorë kemi konsideruar se e kanë përkeqësuar situatën aktuale në këtë drejtim dhe qëllimi barometrit ka qenë që përmes këtij vlerësimi të ofrojmë një reflektim real të gjendjes dhe të shërbejë kjo për ministritë si bazë për planifikim më të mirë për performancë më të mirë të institucioneve", tha Loxha-Stublla.

Zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Palatova tha se integrimi evropian është rrugë komplekse. Sipas saj, ajo që nevojitet në këtë drejtim është vullneti politik në zbatimin e reformave. "Duhen reforma me rezultate konkrete si në një gjyqësor të pavarur, luftim efikas i korrupsionit dhe krimit të organizuar, administratë publike funksionale, ekonomi e fortë, energji e pastër dhe edukim kualitativ", tha Palatova.

Ajo theksoi se BE-ja pret zbatimin e marrëveshjeve të dala nga dialogu Kosovë-Serbi si dhe zgjedhje të jashtëzakonshme të reja në komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas Barometrit, 13 nga ministritë që janë vlerësuar, tetë ministri kanë performancë të mirë ndërsa pesë ministri tjera kanë patur progres të kufizuar. Në përgjithësi si vlerësim përfundimtar sipas barometrit është vlerësuar që progresi në vitin 2023, vlerësohet me 51 pikë, e cila konsiderohet si performancë relativisht e mirë, meqë është kaluar pragu i performancës së kufizuar./aa