Ushtria izraelite ka vrarë të paktën 40 palestinezë dhe ka plagosur 100 të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë në sulmin që kreu ndaj shtëpive të civilëve në qytetin Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Në një deklaratë nga Zyra për media e Qeverisë në Gaza thuhet: "Avionët luftarakë të ushtrisë pushtuese izraelite kryen masakër të tmerrshme duke bombarduar 4 shtëpi të civilëve në Deir Al-Balah. Deri më tani janë vrarë 40 persona dhe janë plagosur mbi 100 të tjerë. Nga personat që kanë humbur jetën 90 për qind janë fëmijë dhe gra".

Në deklaratë administrata e SHBA-së dhe komuniteti ndërkombëtar mbahen përgjegjës për krimet që Izraeli vazhdon të kryejë në Gaza dhe u bëhet thirrje vendeve të botës. "U bëjmë thirrje vendeve të lira të botës të ndalojnë menjëherë dhe urgjentisht luftën gjenocidale që ushtria pushtuese izraelite kryen kundër civilëve, fëmijëve dhe grave", thuhet në deklaratë.

Në lajmin e agjencisë zyrtare palestineze WAFA thuhet se avionët luftarakë izraelitë vendosën në objektiv shtëpitë e familjes Al-Attar në në qytetin Deir al-Balah dhe të familjes Yaghi në zonën Zawaida dhe se shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë./aa