Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli 10 kandidaturat e Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2023.

Ky vlerësim shkon për veprën më të mirë në eseistikë dhe publicistikën shqiptare të një viti. Në këtë përzgjedhje vlerësohen autorët më të mirë në gjinitë e publicistikës, eseistikës dhe studimore, duke sjellë në vëmendjen e publikut emrin e një figure të shumanshme, siç është bibliofili Mit’hat Frashëri.

Kandidatët e këtij viti janë: Ilir Ikonomi me “Fan Noli-Apostulli” nga UET Press, Thomas Frashëri me “Frashëri i shquar, i panjohur” nga Onufri, Ardit Bido me “Beteja për 20 përqindëshin” nga Dudaj, Namir Lapardhaja me “Një urë fjalësh mes nesh e tjetrit” nga UET Press, Artan Fuga me “Zbulimi i Erosit në Antikitet” nga Papirus, Natasha Lako me “Njeriu si një tjetër” nga UET Press, Blendi Fevziu me “Takimet e mia me…” nga UET Press, Migjen Kelmendi me “Unë jam Kosovë” nga UET Press, Astrit Lulushi me “Dëshmi dhe kujtesë” nga QTAL dhe Erion Kristo me “Publicistikë e zgjedhur” nga Onufri.

Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” është akorduar për herë të parë në vitin 2006 dhe nxit e mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare. Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike dhe intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe të mendimit shqiptar Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare./ata