Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar çeli ekspozitën me punime në gdhendje druri të një prej artizanëve më të njohur të Korçës.
Në punët e tij reflektohet folklori dhe tradita, ndërthurrur me pasionet. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të projektit “Origjina dhe artizanati”, që ka për qëllim njohjen prej brezit të ri të trashëgimisë kulturore, si dhe përcjelljen ndër breza të punës së dorës e trashëgimisë popullore, në përgjithësi.
Të ftuar ishin fëmijë të moshave të ndryshme të cilët u njohën nga afër me punën e palodhur, dhe me mënyrat e trajtimit të gdhendjes së drurit.
Interes shfaqën dhe vizitorët e shumtë të cilët krahas ekspozitës së përhershme, ndoqën me dëshirë aktivitetin.
Drugdhendja është një nga traditat e hershme ndër shekuj, një punë e shkëlqyer dhe po aq e vështirë. E përhapur në të gjithë Shqipërinë, prej kohëve të lashta, me specifikat e çdo vendi, gdhendja e drurit ka zënë gjithmonë një vend tepër të rëndësishëm në jetesën e popullit tonë, duke nisur nga objektet e nevojshme, të përdorimit të përditshëm, deri tek objekte e zbukurimit.
Motive gjeometrike, floreale dhe zoomorfe, të gdhendura me mjeshtëri, do të jenë në fokusin e programit mbi trashëgiminë kulturore, traditën dhe artizanatin./ata