Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi u shpreh sot se pas vetëreformimit të ASHSH-së do të kalohet në fazën e reformimit në vazhdimësi të vetë sistemit të kërkimit shkencor.

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt mbledhja vjetore e Asamblesë e para pas bashkimit me institutet e albanologjisë, ku Gjinushi mbajti raportin përmbledhës për veprimtarinë e Akademisë së Shkencave gjatë periudhës 2019 -2023.

“Gjatë katërvjeçarit 2019-2023, u realizua faza e parë e reformës, ajo e vetëreformimit të ASHSH-së, për të kaluar në fazën e dytë të saj, të reformimit në vazhdimësi të vetë sistemit të kërkimit shkencor tek ne. Synimi në periudhën 2019-2023 ishte kthimi në institucionin më të lartë të kërkimit, promovimi e koordinimi i vetë sistemit të kërkimit, nëpërmjet rifreskimit të vetë Asamblesë, ngritja e strukturave të reja ligjore e më tej,  vendosja pranë saj e qendrave e njësive kryesore me ndikim kombëtar, me qëllim vendosjen e balancave të duhura midis arsimit të lartë e shkencës. Sot mund të pohojmë se kjo fazë u përmbyll e synimet tona u realizuan”, u shpreh Gjinushi.

Gjinushi  vuri theksin edhe në bazën ligjore të reformës së ndërmarrë, që u dëshmua me hartimin e miratimin e akteve të nevojshme nënligjore në zbatim të ligjit të ri.

“Hartimi i projektligjit nga Asambleja e miratimi i tij nga Kuvendi; mbështetja dhe vlerësimi që ai mori nga institucioni më prestigjioz akademik europian ALLEA – bashkimi i akademive europiane; zgjedhja pa ekuivok e tij nga institucionet e komuniteti shkencor në raport me alternativat që tentonin rithemelim të Akademisë, duke shkelur hapur autonominë e liritë akademike të Asamblesë e të anëtarëve të saj, krijuan bindjen se Akademia i kishte vullnetin e aftësinë për vetëreformim pa ndërhyrje të njëanshme politike; se kjo Asamble nuk qe pjesë e problemit, por e zgjidhjes së tij”, tha Gjinushi.

Më tej, ai tha se përcaktimi në ligj i statusit të anëtarit të jashtëm për shqiptarët e suksesshëm në fushën e dijes dhe shkencës me veprimtari e banim jashtë vendit, mundësoi pranimin e anëtarëve të rinj nga diaspora shkencore dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e nga bota akademike arbëreshe.

“Deri më tani janë realizuar 14 projekte e janë në proces 17 projekte të mbështetura nga ASHSH ose nga AKKSHI. Akademia e Shkencave ka organizuar rreth 100 aktivitete në vit, me pjesëmarrjen e mijëra kërkuesve e studiuesve, ku kanë referuar qindra profesorë e specialistë të vendit e të huaj”, shtoi ai.

Gjinushi paraqiti edhe projektet për fazën e dytë të reformës (2023-2027), dhe programin për vitin 2024, ku që nga janari i vitit 2024 Akademia ka nisur punën së bashku me institutet.

“Statuti i fazës së parë të reformës krijoi kushtet për kalimin në fazën e dytë në 4 vitet e ardhshme, që është faza e riorganizimit të sistemit tonë shkencor, bazuar kjo në strategjinë kombëtare për shkencën (2023-2030) dhe ligjit të ri për shkencën, që pritet të miratohet; si një masë e domosdoshme për ngritjen në një nivel më të lartë të realizimit të misionit e përgjegjësisë së ASHSH-së”, tha Gjinushi.

Ai e vuri theksin në realizimin me sukses të tri projekteve madhore në albanologji: hartimi i fjalorit të madh të gjuhës shqipe, i historisë së shqiptarëve (variant i sintetizuar) dhe i enciklopedisë së shqiptarëve.

“Synimi ynë do të jetë që ASHSH të financojë vetëm projekte që lidhen me objektin e punës së çdo njësie a komisioni për studime të mirëfillta shkencore që ndërmerren për herë të parë apo që kërkojnë një koordinim midis disa njësive ose që janë projekte pararendëse të një studimi madhor në të ardhmen. Sfidë e vëmendje të veçantë përbën nxitja e mbështetja për një politikë më të mirë shkencore në hartimin e programeve të njësive të përhershme”, tha ai.

Në vijim, akademik Adrian Civici foli për çështjet që lidhen me ecurinë për ngritjen e Akademisë së të rinjve.

Më pas diskutuan drejtuesit e instituteve dhe qendrave dhe njësive shkencore, akad. Adem Bunguri, akad. Arben Merkoci, prof. Neritan Ceka, prof. Fatbardh Sallaku, akad. Hamit Kaba, akad. Ilirjan Malollari, prof.dr. Olsi Lelaj, akad. Jorgaq Kaçani, akad. Bensik Baraj, akad. Valter Memishaj, akad. Rrapo Ormëni për çështjet specifike në drejtimin e instituteve dhe qendrave përkatëse./ata