Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, të njësive të përhershme të kërkim-studimit, si njësi vijuese të veprimtarisë në fushën e albanologjisë të njësive kryesore të Akademisë së Studimeve Albanologjike:

  1. a) Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë;
  2. b) Instituti i Arkeologjisë;
  3. c) Instituti i Historisë;

ç) Instituti i Antropologjisë;

  1. d) Qendra e Studimit të Arteve;
  2. dh) Qendra për Botimet Enciklopedike e Albanologjike (QBEA).

Njësitë e përhershme të kërkim-studimit organizohen dhe funksionojnë sipas përcaktimeve në statutin e Akademisë, në rregulloret e brendshme të tyre dhe kuadrin ligjor në fuqi. Marrëdhëniet dhe raportet e njësive të përhershme të kërkim-studimit me strukturat ekzistuese të Akademisë dhe me organet e saj drejtuese rregullohen sipas përcaktimeve në ligjin nr.53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në statutin e Akademisë.

Njësitë e kërkim-studimit kanë buxhetin e tyre si zë më vete në buxhetin vjetor të Akademisë. Njësitë e kërkim-studimit në albanologji e ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe përdorin asetet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, së bashku me tërësinë e aseteve dhe të fondeve të trashëgimisë të kaluara në administrim të Akademisë, nëpërmjet vendimit nr.338, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e njësive kryesore të saj”.

Marrëveshjet në fuqi, nënshkruar nga përfaqësues të Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) apo të njësive në përbërje të saj me institucione apo njësi të ngjashme, vendase apo të huaja, ruajnë vlefshmërinë juridike për sa kohë nuk ka kërkesë për revokim nga palët nënshkruese përgjegjëse. Marrëveshjet e lidhura në nivel institucional ndiqen nga Akademia, ndërsa marrëveshjet me palë nënshkruese njësitë e ASA-s ndiqen nga njësitë e përhershme përkatëse të kërkim-studimit.

Kërkuesit shkencorë të njësive të përhershme gëzojnë të njëjtin status si të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë.

Këshilli i Ministrave ngarkon Akademinë e Shkencave e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi, i cili i fillon efektet financiare nga data 1.1.2024./ata