Ish-baza komuniste e Kuçovës, më saktë areoporti ushtarak i saj, tashmë dhe pak ditë e bëhet bazë e NATO-s, duke reflektuar kësisoj kontekstin e ri gjeopolitik ku ndodhet Shqipëria prej më shumë se tre dekadash.

Bash në momentin më delikat të botës që pas fundit të Luftës së Ftohtë, ku një rend i ri gjeopolitik po troket frikshëm mbi glob, me hijet e një lufte tjetër botërore në ajër, në kërthizë të Shqipërisë merr jetë një bazë e Aleancës Atlantike, e cila po testohet nga Rusia e Putinit për forcën e saj të pretenduar ushtarake.

Është ministri Peleshi ai që shkruan pasi shpërndan pamjet:  “Edhe pak ditë nga përurimi i Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, e cila do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s.

Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës. Ky hap shënon një fazë të re në forcimin e kapaciteteve tona për bashkëpunim ndërkombëtar dhe siguri rajonale”.

Baza e Kuçovës hapet ditë pasi Shqipëria u vizitua nga kreu i diplomacisë amerikane, Antony Blinken. Ishte tipikisht një vizite më mesazhin dominancës amerikane në Ballkan përballë një Rusie që kërcënon të destabilizojë rajonin me anë të dy vatrave të nxehta, Bosnjës dhe Kosovës, duke patur satelit Serbinë.

Për ironi, Kuçova është quajtur Qyteti Stalin në kohën e komunizmit, ku identitetit të saj naftënxjerrës iu mbivenbdos një identitet gjeopolitik komunist. /tesheshi.com/