Në vende të caktuara, në momente të caktuara, vetëm të qëndrosh gjallë është diçka për të cilën një djalë duhet të jetë krenar, e lëre më të dalësh çdo ditë për të gjetur ushqim për familjen që po vuan nga uria.
Çdo mëngjes, Mohammed Zo'rab, 11 vjeç, shkon në qytetin jugor të Gazës, Rafah, për një mision. Ai merr një tas të madh plastik dhe shkon në shkollat që janë bërë qendra refugjatësh dhe në kampe të improvizuara buzë rrugës që të mund të gjejë diçka për të ushqyer familjen.
Mohamedi gjithashtu shkon në spitale ku të plagosurit mbërrijnë në çdo orë, dhe kudo tjetër ku mund të ketë një tenxhere që zien mbi një zjarr të hapur.
“Kur kthehem te familja ime me këtë ushqim, ata gëzohen dhe hamë të gjithë bashkë”, thotë ai.
“Ndonjëherë shkoj duarbosh dhe ndihem i trishtuar”.
Mohamedi është më i madhi nga katër fëmijët dhe jeton me nënën, babanë dhe vëllezërit e motrat e tij. Babai i tij, Khaled, endet rreth Rafahut duke kërkuar punë për të mbledhur pesë sikla (rreth 1,38 dollarë; 1,08 £) për të blerë pelena për vajzën e tyre dy muajshe, Hoëaida.
Muhamedi është një nga mijëra fëmijët që janë bërë mbledhësit kryesorë të ushqimit për familjet e tyre.
"Kur ka shumë radhë dhe ka pothuajse 100 njerëz para meje, unë kaloj fshehurazi mes njerëzve," thotë ai, krenar për aftësinë e tij për t’u futur pa radhë në turma të mëdha pa u grindur.
Në shtëpi, ai ia jep tasin me fasule të pjekura nënës së tij, Samarit, e cila ua shpërndan ushqimin fëmijëve të tjerë. Ajo është e dobët dhe e sëmurë.
“Kam kancer në kocka”, tregon ajo. “Unë jam 31 vjeç por kur më sheh mendon se jam 60. Nuk mund të eci.
"Nëse eci, lodhem shumë. Më dhemb i gjithë trupi dhe kam nevojë për trajtim dhe ushqim".
Si shumë të tjerë, Samar dhe familja e saj erdhën në Rafah nga shtëpia e tyre më në veri në Khan Younis sepse Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), pas nisjes së ofensivës në atë zonë, u thanë atyre se do të ishin të sigurt në Rafah.
Kjo ishte tre muaj më parë. Që atëherë, lufta i është afruar vazhdimisht Rafahut. Më shumë se 70 njerëz u vranë më pak se dy javë më parë kur Izraeli nisi një ofensivëpër të shpëtuar dy pengje që mbaheshin nga Hamasi.
Streha e familjes Zo'rab rrjedh dhe dyshemeja mbushet me shi. Ndonjëherë, foshnja Hoëaida nuk ka pelena të reja. Çdo ditë ofron poshtërime të pamëshirshme në një vend ku 1.5 milionë njerëz, pesë herë më shumë se popullsia normale, janë të grumbulluar pranë kufirit egjiptian.
Me 85% të popullsisë së Gazës tani të zhvendosur, sasia e ndihmës që hyn në enklavë nuk është aspak afër asaj që nevojitet. Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), kërkohen pesëqind kamionë ndihma në ditë. Mesatarja ditore ka qenë nëntëdhjetë.
Situata në veri të Gazës është veçanërisht enxehtë. Izraeli thotë se OKB-ja po dështon në shpërndarjen e ndihmave në veri. Organizata ka pezulluar lëvizjen e ndihmave ushqimore në Gazën veriore, sepse thotë se nuk ka mbrojtje për shoferët e kamionëve, të cilët janë përballur me sulme nga bandat kriminale dhe plaçkitje nga njerëz të dëshpëruar.
Përveç kësaj, forcat policore të drejtuara nga Hamasi në Gaza nuk janë më të gatshme të shoqërojnë kamionët me ushqime, sepse kanë frikë se do të qëllohen nga IDF./Shqiptarja