Në shenjë solidariteti me Palestinën dhe dënimit të veprimeve të Izraelit, qindra mijëra njerëz dolën në rrugë anembanë Spanjës në një valë demonstratash duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të tregtisë së armëve me Izraelin, raporton Anadolu.

Të organizuar nga grupet e shoqërisë civile të krahut të majtë dhe të mbështetur nga disa parti politike, protestat rezonuan me slogane që bënin thirrje për t’i dhënë fund “gjenocidit në Palestinë” dhe kërkuan ndërprerjen e lidhjeve me Izraelin.

Të udhëhequr nga liderja e krahut të pajtë Podemos, Ione Belarra, tubimet morën vrull pasi ajo njoftoi planet për të paraqitur një mocion në parlament që kërkon një embargo armësh ndaj Izraelit.

 

Belarra theksoi nevojën për sinqeritet nga qeveria, duke akuzuar koalicionin aktual për premtime boshe pasi asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë në mbështetje të Palestinës.

“Ne do të shohim sinqeritetin e qeverisë në mocionin që do të paraqesim në parlament për të vendosur një embargo armësh ndaj Izraelit. Nëse ata vërtet duan të ndalojnë gjenocidin dhe nuk duan të jenë bashkëpunëtorë të Izraelit, ata do të ndalojnë tregtinë e armëve”, tha Belarra.

Protestat që tërhoqën një pjesëmarrje të konsiderueshme në kryeqytetin Madrid, shfaqën slogane që denonconin kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, ku sulmet izraelite që nga 7 tetori kanë vrarë afër 30 mijë palestinezë.

Partia Podemos, pavarësisht se nuk ishte pjesë e koalicionit qeverisës në Spanjë, hodhi mbështetjen e saj pas demonstratave, duke theksuar unitetin midis fraksioneve të ndryshme në Spanjë në mbështetjen e tyre për Palestinën.

 

Demonstruesit po ashtu kritikuan pretendimet e ministrit të Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares, se tregtia e armëve e Spanjës me Izraelin është ndalur që nga 7 tetori, duke i hedhur poshtë deklaratat e tij si të rreme.

Ata cituan të dhëna komerciale që tregojnë bashkëpunimin e vazhdueshëm midis kompanive spanjolle dhe Izraelit në sektorin ushtarak.

“Izraeli vazhdon masakrën e tij kundër Palestinës fuqishëm. Kjo nuk është vetëm kundër palestinezëve, por edhe kolonializmit dhe krimeve të të drejtave të njeriut kundër gjithë botës. Ne duhet të vazhdojmë të ngremë zërin tonë dhe të këmbëngulim që komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë”, tha Maria Rocas për Anadolu, një protestuese në Madrid.

Demonstratat, që përfshijnë mbi 100 qytete dhe qyteza, përfshirë në Barcelona, Coruna, Malaga dhe Tenerife, tregojnë një thirrje kumbuese nga popullata spanjolle për solidaritetin me Palestinën dhe dënimin e veprimeve të Izraelit.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi. Lufta izraelite që pasoi ka vrarë mbi 29.690 palestineze, ka plagosur rreth 70 mijë të tjerë, si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.