Ushtria izraelite ka paraqitur në Kabinetin e Luftës planin për "evakuim" dhe sulm në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur.
Në deklaratën me shkrim të Zyrës për media të Kryeministrisë thuhet se ushtria izraelite e ka paraqitur mbrëmë planin në Kabinetin e Luftës. "Ushtria izraelite i paraqiti Kabinetit të Luftës evakuimin e njerëzve nga zonat e konfliktit në Rripin e Gazës dhe planin e ardhshëm të operacionit", thuhet në deklaratë.
Megjithëse rajoni nuk u emërua, mediat izraelite raportuan se ky ishte plan që synonte të sulmonte qytetin Rafah dhe të "evakuonte" palestinezët që u strehuan atje. Në deklaratë thuhet se Kabineti i Luftës miratoi "planin për të ofruar ndihmë humanitare për Rripin e Gazës".
Më 9 shkurt, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i kërkoi ushtrisë izraelite të përgatiste një plan për "evakuimin" e qytetit Rafah, ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur, të sulmonte këtë zonë dhe ta paraqiste atë në Kabinetin e Luftës.
Rafah, qyteti ku strehohen palestinezët e zhvendosur
Qyteti Rafah i vendosur në jug të Rripit të Gazës në kufirin me Egjiptin, ishte shtëpia e rreth 280 mijë palestinezëve para sulmeve izraelite. Për shkak të sulmeve të Izraelit më 7 tetor, 1.9 milion njerëz u zhvendosën në Rripin e Gazës, e cila ka popullsi prej rreth 2.3 milionë banorësh.
Shumica e palestinezëve të zhvendosur u strehuan në Rafah, për të cilin Izraeli më parë kishte pretenduar se ishte "i sigurt". Me ardhjet nga rajonet veriore, popullsia në Rafah u rrit më shumë se 5 herë, duke arritur në 1.5 milion. Shumica e palestinezëve që u strehuan në Rafah për shkak të mungesës së strehimit të mjaftueshëm luftojnë për mbijetesë në kampet me tenda të improvizuara.
Forcat izraelite synojnë qytetin Rafah me sulme të shpeshta ajrore. Dyshohet se nëse Izraeli fillon sulm tokësor në qytetin Rafah, civilët nuk do të kenë vend për strehim në Rripin e Gazës./aa