Ish-kryeministrja britanike Liz Truss fajësoi "shtetin e thellë" për mandatin e saj të shkurtër 49-ditor në detyrë, duke thënë se ajo ishte viktimë e "pushtetit burokratik".
"Doja të shkurtoja taksat, të reduktoja shtetin administrativ, të rimarrë kontrollin siç u shpreh populli në referendumin e Brexit-it. Ajo me të cilën u përballa ishte një reagim i madh i estabilishmentit, ndërsa shumë prej kësaj në fakt erdhi nga vetë shteti", shtoi ajo.
Duke folur në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në shtetin amerikan të Maryland, Truss theksoi se ajo u përpoq të "marrë përsëri kontrollin", që ishte slogani i periudhës së Brexit.
"Ajo që ka ndodhur në Britani gjatë 30 viteve të fundit është se pushteti që dikur ishte në duart e politikanëve është zhvendosur në kuangos (organ publik jo-departamental ose quango), burokratët dhe avokatët, kështu që ajo që shihni është një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike në të vërtetë e paaftë për të miratuar politika", tha ajo.
Quango përkufizohet si një organizatë të cilës qeveria i ka transferuar pushtetin, por që ende pjesërisht kontrollohet ose financohet nga organet qeveritare.
"Në Amerikë, ju e quani këtë 'shteti administrativ' ose 'shtet i thellë'. Por ne kemi më shumë se 500 nga këto quangos në Britani dhe ata drejtojnë gjithçka", shtoi ajo./aa