Opera “Goca e Kaçanikut”, e kompozitorit Rauf Dhomi, u duartrokit fuqishëm mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, 45 vjet nga premiera botërore që ishte vënë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

Nën regjinë e Mjeshtrit të Madh, Nikolin Gurakuqi, opera ka një kast të shkëlqyer këngëtarësh lirikë, orkestrantësh e balerinësh shqiptarë.

“Goca e Kaçanikut” është produksion i Operës së Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës. Në rolet kryesore interpretuan sopranoja Adelina Paloja dhe tenori Ismet Vejseli, të cilët sollën në jetë Pafikën dhe Trimorin, ndërsa basi Hektor Leka dhe Besiana Mehmedi portretizuan Plakun dhe Plakën.

Opera e Kosovës bën të ditur se “Goca e Kaçanikut” do të rikthehet me shfaqje të tjera në pjesën e dytë të vitit 2024.

Opera është e ndarë në dy akte, tre tablo. E tërë ngjarja është e vendosur në kohën e Rilindjes Kombëtare në qytetin e Kaçanikut. Në aktin e parë është paraqitur shtëpia e Pafikës në një ambient familjar ku bashkë me prindërit mendojnë për atë se ka ardhur koha që vajza e tyre të martohet, me një djalë trim, të ndershëm e i gatshëm për të dhënë jetën për liri. Ky djalë ishte Trimori. Kjo pamje romantike shkatërrohet në momentin kur mësojmë se forcat e Perandorisë osmane duan të shkatërrojnë çdo aktivitet patriotik të shqiptarëve të Kosovës./ata