Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka dhe anëtarë të komisionit zhvilluan sot një vizitë monitoruese në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar, ku u pritën nga drejtuesi i këtij institucioni, Alfred Peza dhe kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Leka Bungo.
Gjatë kësaj vizite monitoruese u diskutua mbi sfidat, nismat dhe projektet që ka ky institucion si dhe problematikat me të cilat përballen më së shumti.
Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Leka Bungo vlerësoi marrëdhënien e bashkëpunimit mes Kuvendit dhe RTSH-së si dhe kërkoi mbështetjen e anëtarëve të komisionit në lidhje me ndryshimet ligjore kur ato janë të nevojshme.
Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka ofroi mbështetjen ndaj Radio Televizionit Shqiptar si dhe kërkoi të njihet më nga afër me vështirësitë dhe problematikat e institucionit. Ndërsa zëvendëskryetarja e Komisionit, Evis Kushi, ofroi gjithashtu mbështetjen duke u shprehur se do t’i reflektojnë në legjislacion problematikat ndërsa kërkoi të njihet me propozimet e drejtuesve të RTSH-së.
Drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza i njohu më nga afër anëtarët e komisionit me investimet bashkëkohore në infrastrukturë dhe rezultatet pozitive që janë arritur nga institucioni i cili drejton prej disa muajsh.
Peza vlerësoi marrëdhënien e bashkëpunimit mes Radio Televizionit Shqiptar dhe Kuvendit të Shqipërisë si dhe kërkoi mbështetjen për projektet në vazhdim./ata