Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në prezantimin e programit të Bashkimit Europian, “BE për Kujdesin Social” që zbatohet nga UNICEF-i në Shqipëri dhe World Vision, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në fjalën e saj, ministrja Koçiu tha se “bashkëpunimi ynë është afatgjatë dhe ka dhënë rezultate të shkëlqyera, si në avancimin e reformave në fushën e mbrojtjes sociale, ashtu dhe në evidentimin e nevojës për të vazhduar këtë partneritet strategjik në procesin e përafrimit me standardet e BE-së”.

Ministrja solli në vëmendje faktin se vetëm tre muaj më parë Komisioni Europian miratoi Paketën e Zgjerimit dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, paketa më ambicioze që synon të dyfishojë përmasat e ekonomive tona në 10 vjet.

Ajo u shpreh se mbështetja e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri përmes programit të Përfshirjes Sociale është shumë i rëndësishëm në vijimin e reformave në fushën e Mbrojtjes Sociale.

“Vetëm një javë më parë, 15 bashki të vendit nënshkruan një pakt për të zgjeruar me 15 shërbime të reja sociale mbulimin për komunitetet në nevojë. Sot, jemi në kushtet kur i gjithë territori i vendit është i mbuluar me shërbime sociale të ofruara nga të gjitha njësitë administrative”, deklaroi Koçiu.

Ministrja tha se falë rritjes së vazhdueshme të mbështetjes nga buxheti i shtetit dhe forcimit të partneriteteve në nivel lokal, numri i shërbimeve të ofruara sot tejkalon 70.

Lidhur me projektin “BE për Kujdesin Social”, Koçiu tha se do të forcojë më tej partneritetin dhe kapacitetet e pushtetit vendor në 14 njësi vendore.

“Zbatimi i këtij projekti, i cili përputhet me Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2014-2030 do të ndikojë drejtpërsëdrejti në procesin e integrimit, duke rritur përgatitjen e vendit për harmonizimin e plotë të kapitujve 19 dhe 23”, nënvizoi ministrja e Shëndetësisë.

Në përfundim, ajo theksoi angazhimin për vijimin e forcimit të bashkëpunimin me organizata të shoqërisë civile si dhe partnerë ndërkombëtarë.

“Investimi për mbrojtjen sociale është investim afatgjatë dhe i drejtpërdrejtë, i cili bën të mundur që përfitimet e Shqipërisë Europiane të shpërndahen në mënyrë të drejtë tek e gjithë shoqëria”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Projekti me vlerë 3,1 milion euro do të mbështesë 14 bashki të vendit për një periudhë prej 36 muajsh, me qëllim ngritjen dhe shtrirjen e shërbimeve të kujdesit social që trajtojnë nevojat dhe të drejtat e grupeve të cenueshme, si fëmijët me aftësi të kufizuara, gratë në rrezik, dhe të rinjtë në situata të vështira./ata