Tashmë laboratori Rajonal i Kontrollit Ushqimor në Durrës është tërësisht funksional, i gjithë sistemi është i ndërtuar sipas standardit evropian, pas rinovimit së fundmi, me mbështetjen e CHIHEAM Bari SAFIAL, financuar nga Agjencia italiane për Bashkëpunimin Zhvillimor (AICS).

 

Drejtoresha e AKU-së, Jeta Deda u shpreh se, “situata e sigurisë ushqimore në vend është në rritje dhe krahas investimeve në krijimin e kapaciteteve të tilla laboratorike bashkëkohore, po zhvillohen trajnime të inspektorëve për aplikimin e ekzaminimeve të kontrollit sipas modeleve të BE-së”.

 

Deda tha se, me mbështetjen e projektit SAFIAL dhe nën drejtimin e ekspertëve të CIHEAM Bari, është zhvilluar pranë laboratorit të AKU Durrës, trajnimi mbi aplikimin e teknikave serologjike për zbulimin e patogjenëve të karantinës bakteriale dhe virale.

 

Në këtë trajnim morën pjesë specialistë të laboratorit të AKU Durrës dhe specialistë të departamentit të shëndetit të bimëve pranë ISUV. U krye aplikimi DAS-TAS-ELISA, qasje të automatizuara dhe manuale për bimët e domates dhe ullirit për të vlerësuar praninë e sëmundjeve bakteriale dhe virale.

 

Falë këtyre bashkëpunimeve specialistët e laboratorëve të AKU dhe ISUV kanë përmirësuar aftësitë e tyre në zbulimin e patogjenëve të bimëve të paraqitura në programet e certifikimit.

 

“Është bërë një hap i madh në konsolidimin e sigurisë ushqimore, si kusht dhe për integrimin e vendit në BE”, tha Deda.