Spitali i Pogradecit është pajisur me aparatura të reja ekzaminuese në shërbimin e kardiologjisë, eko kardiake, ngritjen e kabinetit të provës ushtrimore si dhe grafi digjitale.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky spital, në të cilin është shtuar gama e ekzaminimeve.

Rama tha se të gjitha këto investime janë në shërbim të 92 mijë banorëve si dhe fluksit të lartë të turistëve që dyfishohet gjatë sezonit të verës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar dhe nga kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli zhvilluan dje një vizitë në këtë spital, ku panë nga afër investimet.

Koçiu theksoi angazhimin për të filluar së shpejti punën për përmirësimin e infrastrukturës së Spitalit Bashkiak të Pogradecit për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe ofruar kushte bashkëkohore për stafin mjekësor.

Në Spitalin Bashkiak Pogradec ofrohet shërbimi i urgjencës dhe i specialiteteve të pediatrisë, kirurgjisë, i sëmundjeve të brendshme, shërbimi obstetri-gjinekologjisë, i radiologjisë si dhe gama e një sërë analizash mjekësore./ata