Rrugë të lëna përgjysmë, fonde që shtohen pas garave që kanë indici për korrupsion. Drejtues ARRSH-je të përfshirë në afera dhe ndjekje penale dhe rrugët nuk mbarojnë. Si përfundim rrugë të fryra në kosto dhe përsëri, Shqipëria ka infrastrukturën më të dobët.

Më 17 shkurt 2024, një ditë pas shembjes së rrugës “Korçë-Ersekë”, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion do të deklaronte nisjen e hetimit dhe regjistrimin e procedimit penal ndaj kompanive “A & E ENGINEERING” me aksionere Entela Çano dhe kompanisë “A.N.K” me pronar Agim Kola.

Inxhinieri Romeo Nazarko kishte arritur të vinte në lëvizje institucionin më të lartë hetimor (SPAK) duke renditur shkeljet që kishte konstatuar në atë segment rrugor.

Akuzat ishin të qarta; Shpërdorim detyre, mashtrim me projektin e rrugës, mashtrim teknik, mashtrim e falsifikim me procesin e mbikëqyrjes së punimeve, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, një ditë pas regjistrimit te procedimit penal dhe nisjes së hetimit ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve (ARRSH), Evis Berberi, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, zbarkuan në 3 banesat e Drejtorit të Autoritetit Rrugor, duke sekuestruar dokumente, kompjuter, 2 telefona dhe 3 USB, ku besohet se ka prova dhe për afera me rrugët e tjera….

Por çfarë ndodhi në aksin e shembur i Ersekës dhe alarmi për rrugët që janë në proces?

Aksi Korçë-Ersekë, me gjatësi 35 kilometra, pritej të inaugurohej në qershor të vitit 2023. “Tashmë kantieri është në një fazë shumë të avancuar, pjesa e parë e Lotit të Dytë është përfunduar në 99 %”, deklaronte kohë më parë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Por ndërsa të gjitha afatet u shkelën, aksi jo vetëm që nuk ka përfunduar, por në një segment të tij, të sapo ndërtuar, ka pësuar shembje masive duke e bërë atë të pakalueshëm. Dëmtimi i madh i rrugës ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Qarrit.

Sipas burimeve të informacionit kosto e kësaj rruge, ka shkuar në 60 milionë euro. Ekspertët tregojnë se kjo rrugë, është e kategorisë C me një karrexhatë me të paktën një korsi lëvizjeje për sens, 35 kilometra e gjatë dhe vetëm 8,5 metra e gjerë.

Në qershor të vitit 2013 nisën punimet për ndërtimin e një pjesë të segmentit rrugorë, tenderi për lotin e parë me gjatësi 17,6 kilometra u fitua me një ofertë prej 17 milionë eurosh nga kompania “A.N.K”. Edhe përse kanë kaluar 11 vite shiriti përfundimtar për përfundimin e punimeve duket shumë i largët.