Pasi forcat izraelite mëngjesin e sotëm vranë të paktën 112 palestinezë që kërkonin ndihmë, Türkiye ka reaguar duke deklaruar se sulmi i Izraelit ndaj civilëve që prisnin ndihmë humanitare në Gaza tregon se Izraeli synon “të shkatërrojë të gjithë popullsinë palestineze”.

“Fakti që Izraeli, i cili ka përdorur urinë si një armë lufte në Gaza, tani po shënjestron civilët e pafajshëm që po kërkojnë ndihmë shpëtimtare është dëshmi e synimit të Izraelit për të shkatërruar të gjithë popullsinë palestineze”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes.

Ministria turke theksoi se Izraeli ka “kryer një krim tjetër kundër njerëzimit” me vrasjen e palestinezëve në zonën e rreth-rrotullimit al-Nablusi në jug të qytetit Gaza. Ministria po ashtu paralajmëroi se “mizoria në Gaza do të bëhet një katastrofë globale me pasoja shumë përtej rajonit”.

“Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë ndikim mbi qeverinë izraelite që të ndalojnë dhunën e vazhdueshme në Gaza. Izraeli duhet t'i japë fund operacionit të tij ushtarak në Gaza menjëherë. Por qeveria izraelite nuk ka sens të shëndoshë apo ndërgjegje për të marrë këtë vendim", theksohet në njoftim.

Herët në mëngjes, forcat izraelite qëlluan mbi një turmë palestinezësh që prisnin ndihma humanitare në jug të qytetit Gaza në zonën e "rreth-rrotullimit al-Nabulsi", sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza, duke lënë të paktën 112 të vdekur dhe 760 të plagosur.

Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi kur, sipas Tel Avivit, u vranë më pak se 1.200 njerëz.

Që atëherë, sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 30.035 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 70.500 të tjerë në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa