Numri i palestinezëve të vrarë nga ofensiva vdekjeprurëse e Izraelit në Rripin e Gazës ka arritur në 32.490 që nga tetori i vitit të kaluar, tha sot Ministria e Shëndetësisë e enklavës.

Të paktën 74.889 palestinezë të tjerë janë plagosur po ashtu gjatë sulmeve, tha ministria në një deklaratë.

“Sulmet izraelite vranë 76 persona dhe plagosën 102 të tjerë në 24 orët e fundit”, tha ministria.

"Shumë viktima janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë ndërsa shpëtimtarët nuk janë në gjendje të arrijnë tek ata”, theksohet tutje.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga një inkursion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.

Lufta izraelite ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas një bllokade gjymtuese të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.

Të hënën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gaza gjatë muajit të Ramazanit.

Ndërsa Hamasi e mirëpriti rezolutën, Izraeli e hodhi poshtë thirrjen për armëpushim dhe tha se do të vazhdojë luftën në enklavën palestineze.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa